Diana Pushi · 8 minuta lexim

“Po të zë gjumi… shumë, shumë gjumë…”
Kjo është ajo që zakonisht dëgjojmë për hipnoterapinë në filma apo seriale, por si shumë gjëra të tjera në botën mediatike, edhe kjo është krejtësisht e shtrembëruar. Më vjen keq t’ju zhgënjej, por në një seancë të vërtetë hipnoterapie nuk ka orë që lëkunden para syve dhe askush nuk të thotë që po të zë gjumi.
Shpesh, hipnoterapia ngatërrohet me truket e skenës apo ndonjë formë kontrolli të çuditshëm të mendjes. Por në realitet, është një mjet shumë i fuqishëm për të ndihmuar nënvetëdijen të ndryshojë mënyrën si funksionon. Kjo është veçanërisht e vlefshme për sipërmarrësit, të cilët gjithmonë kërkojnë mënyra për të qenë më produktivë, për të ulur stresin dhe për të kapërcyer pengesat që i mbajnë të bllokuar.
Më poshtë ju sjellim pesë mënyra të mbështetura nga shkenca se si hipnoterapia mund të të ndihmojë:
1. Të ndihmon të ndalosh së menduari pa pushim për problemet
Kur gjërat nuk shkojnë siç duhet në biznes, trupi hyn në gjendje stresi, rriten hormonet si kortizoli dhe mendja ngec duke analizuar problemet pa fund. Kjo të largon nga zgjidhjet.
Sipas Cleveland Clinic, hipnoterapia ndihmon trupin të hyjë në një gjendje të thellë relaksimi dhe përqendrimi. Kjo gjendje e veçantë të ndihmon të dalësh nga gjendja e alarmit dhe të rifitosh qetësinë mendore.
Pas një seance hipnoterapie, edhe pas vetëm 10 minutash, niveli yt i stresit lehtësohet ndjeshëm, madje mund të zhduket fare, duke të lejuar ta shohësh problemin me një qasje krejtësisht tjetër.
2. Tani mund të shijosh gjumin që të ka munguar prej kohësh.
Për sipërmarrësit, gjumi është një luks i çmuar, dhe shpesh i rrallë. Orët e gjata, mungesa e një shefi dhe ndjenja e fortë se suksesi apo dështimi janë në duart e tua, mund të sjellin ditë të gjata e të lodhshme.
Sipas një ekipi kërkimor zviceran, dëgjimi i audios së shkurtër me hipnoterapi mund të ndihmojë që të kalosh deri në dy të tretat më pak kohë zgjuar, ndërsa mendja punon pa pushim. Studimi tregoi gjithashtu se pjesëmarrësit që përdorën audion me hipnozë kaluan 80% më shumë kohë në gjumë të thellë.
Gjumi i thellë është thelbësor, pasi forcon kujtesën, fuqizon sistemin imunitar dhe rikthen energjinë. Të gjitha këto janë elementë kyç për t’i ndihmuar sipërmarrësit të japin më të mirën e tyre.
3. Hipnoterapia të ndihmon të largosh ato mendime negative që të mbajnë të bllokuar.
Truri yt prodhon rreth 50,000 mendime në ditë, dhe është shumë e lehtë që shumica prej tyre të jenë negative – sidomos nëse je rritur mes modeleve të dëmshme apo shkatërruese. Hipnoterapia është përdorur nga atletë të njohur si Michael Jordan, Tiger Woods dhe kampionja olimpike Mary Lou Retton për t’i ndihmuar të shkëlqejnë duke larguar mendimet negative.
Hipnoterapia mund të të ndihmojë të fitosh një avantazh konkurrues në fushën tënde. Hipnoterapeutët përdorin imazhe të udhëzuara dhe teknikën e “projektimit në të ardhmen” për t’i ndihmuar klientët të shohin veten sikur e kanë arritur tashmë qëllimin e tyre, duke i lehtësuar nënvetëdijes pranimin e kësaj si një realitet të kryer.
4. Mund të përmirësojë shëndetin tënd mendor.
Sipërmarrësit përballen me nivele më të larta të çrregullimeve mendore krahasuar me popullatën e gjerë. Një studim i fundit zbuloi se 49% e sipërmarrësve të anketuar po përballeshin me një formë të shëndetit mendor të dobësuar, si depresioni apo çrregullimi i vëmendjes (ADHD).
Hipnoterapia mund të jetë një pjesë e vlefshme e një plani trajtimi për çrregullimet e shëndetit mendor. Duke ndihmuar në riformësimin e lidhjeve nervore në tru, hipnoterapia mund ta largojë vëmendjen nga mendimet e paqëndrueshme, depresive apo të mbushura me ankth, drejt rezultateve më të lumtura dhe pozitive.
Për shembull, hipnoterapistja dhe psikoterapistja Fayina Cohen shpjegon se ankthi është, në thelb, një formë negative e vetë-hipnozës. Duke përdorur hipnoterapinë, ne e ndihmojmë trurin të kalojë nga kjo gjendje ankthi në një vetë-hipnozë pozitive dhe qetësuese.
5. Hipnoterapia të ndihmon të përballesh me frikën.
Si sipërmarrës, je vazhdimisht duke u përballur me gjëra të reja, dhe shumë prej tyre kërkojnë që të përballesh me frikërat e tua.
Merr për shembull të folurin në publik. Pothuajse të gjithë kemi një kujtim jo të këndshëm nga fëmijëria që na ka bërë ta kemi frikë të folurin në publik për gjithë jetën. Hipnoterapia mund të të ndihmojë ta kalosh këtë frikë duke përdorur sugjerime pozitive dhe ushtrime me imagjinatë që e zbusin reagimin emocional.
Hipnoza mund të ndalojë lidhjet neurologjike të frikës në tru dhe të zvogëlojë nevojën për medikamente – që nga procedurat dentare e deri te udhëtimet me avion.
Një nga tiparet dalluese të sipërmarrësve është guximi për të provuar gjëra që të tjerët nuk i marrin përsipër, pikërisht për të arritur rezultate që të tjerët nuk i arrijnë dot. Përfshirja e hipnoterapisë në rutinën tënde, në mënyrë të rregullt, mund të përshpejtojë zhvillimin e biznesit duke forcuar sistemin imunitar, ulur nivelin e stresit dhe ndihmuar në kapërcimin e frikërave.
REGJISTROHU ME EMAILIN TËND PËR TË MARRË INFORMACIONET MË TË FUNDIT DHE OFERTA TË VEÇANTA NGA DIANA DHE KEIDI.
© 2025 Reborn. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.